Drejtësia Penale për të Mitur

Në përputhje me standardet ndërkombëtare për administrimin e drejtësisë penale për të mitur, në funksion të garantimit dhe të respektimit të interesit më të lartë të fëmijës në procesin penal, është miratuar një ligj i veçantë, Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili përmban rregullime të posaçme, lidhur me:

  • përgjegjësinë penale të të miturve
  • rregullat procedurale lidhur me hetimin, ndjekjen penale, procesin gjyqësor
  • ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër, që përfshin një të mitur në konflikt me ligjin, si dhe një të mitur viktimë dhe/ose dëshmitar të veprës penale.

Qëllimi i këtij ligji është:

  • të garantojë një kuadër ligjor për drejtësinë penale për të mitur, në përputhje me Kushtetutën, Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Fëmijëve dhe standardet e normat e tjera ndërkombëtare, që kanë për qëllim mbrojtjen e të miturit dhe mbrojtjen efektive të interesit më të lartë të tij.

Në vijim, fryma e këtij ligji, në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës është:

  • pavarësisht rolit që ka i mituri në një proces penal, qoftë aktiv (në konflikt me ligjin), qoftë pasiv (viktimë apo dëshmitar):
  • atij duhet t’i garantohet në mënyrë të posaçme një proces ligjor i dedikuar, për të mos përkeqësuar traumën e përjetuar nga i mituri, si edhe duke nxitur dëshirën për edukim dhe riintegrim në shoqëri.

Nisur nga rasti i transmetuar në emisionin “Stop” në tv Klan, në mbrëmje, lidhur me shoqërimin e një të mituri (12 vjeç), AP dhe KMPDF konstatojnë, se veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit në komisariatin e Policisë së Fierit, nuk janë në përputhje me parashikimet ligjore të administrimit të drejtësisë penale për të mitur, pasi fëmija nuk ka mbushur moshën minimale për përgjegjësi penale dhe, shoqërimi i tij/saj, duhet të jetë në prezencën e prindit/kujdestarit ligjor, mbrojtësit ligjor dhe psikologut, në të gjitha veprimet procedurale të kryera nga punonjësit e policisë.

Në këtë kontekst, AP dhe KMPDF, në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës dhe, në zbatim të parimit të interesit më të lartë të tyre, për të mbrojtur fëmijën kërkon:

  • marrjen e masave nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Pëfgjithshme e Policisë së Shtetit, për të filluar hetimin administrativ ndaj punonjësit/ësve të policisë në komisariatin e Fierit, të cilët me veprimet e tyre, qartazi kanë shkelur procedurat standarde të intervistimit të të miturit, që parashikon legjislacioni në fuqi, duke ceduar e cenuar të drejtat e fëmijës.

#stopshkeljessëtëdrejtavetëfëmijëve

#AP

#KMPDF