Mbledhja e GD-30 shtator 2019

Institucioni i Avokatit të Popullit, përfaqësuar nga Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, znj.Nejla Peka mori pjesë sot, në datë 30 shtator 2019, në mjediset e KRSH-së, në mbledhjen e grupit të deputetëve të Kuvendit të RSH-së “Miqtë e Fëmijëve”, në drejtimin e kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi.

Ndër pjesëmarrësit, përfaqësues të qeverisë, institucioneve shtetërore, institucioneve të pavarura, përfaqësues të pushtetit vendor, organizatave ndërkombëtare, ojf, përfaqësues të shoqërisë civile, në këtë mbledhje ishte e pranishme edhe Drejtoresha Rajonale e UNICEF për Evropën dhe Azinë Qendrore, znj.Afshan Khan.

Në këtë mbledhje u diskutuan dy dokumente të rëndësishme:

Plani Kombëtar i Veprimit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Ekonomik, përfshirë fëmijët në situatë rruge 2019-2021 dhe Raporti i monitorimit afatmesëm 2017-2018 të Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Komisionerja Peka në fjalën e saj, përveç vlerësimit të punës dhe përpjekjeve të deritanishme në kuadrin ndërinstitucional, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, vlerësoi se:

Plani Kombëtar i Veprimit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik, përfshirë fëmijët në situatë rruge 2019-2021, si dokument duhet të përfshijë edhe gjetjet dhe rekomandimet që Avokati i Popullit ka paraqitur në raportin e veçantë “Puna e fëmijëve në Bashkinë Bulqizë”, dërguar në Kuvendi në nëntor 2018. Ky raport pasqyron gjendjen aktuale të nivelit të zbatimit të detyrave funksionale të institucioneve në nivel vendor, si dhe jep rekomandime për institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të identifikojnë në mënyrë aktive raste të shfrytëzimit të fëmijëve për punë në këtë bashki.

Për dokumentin e dytë, Raportin e monitorimit afatmesëm 2017-2018 të Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Komisionerja Peka vlerësoi progresin në drejtim të përmirësimeve ligjore për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. Këtu, vlen të përmendim miratimin e ligjit nr.18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, ligjit nr.37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, si dhe akteve të tjera ligjore, të cilat sjellin ndryshime pozitive për të gjithë fëmijët në Republikën e Shqipërisë. E po ashtu, ndajmë të njëjtin qëndrim si institucion, për gjetjet që ky raport përmban

Znj. Peka e vuri theksin tek sfidat e qenësishme, të cilat mbeten ende të parealizuara në praktikë, të tilla si:

– analiza dhe rishikimi tërësor i kuadrit ligjor, në të gjithë sektorët e linjës, për t’i harmonizuar me ligjin nr.18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”;

– mungesa e burimeve financiare, për të mundësuar zgjerimin e aktiviteteve dhe përmirësimin e shërbimit të ofruar;

– miratimi i kritereve për punësimin e punonjësve për mbrojtjen e fëmijëve dhe ngritja e strukturave për mbrojtjen e fëmijëve në përputhje me kërkesat e ligjit nr.18/2017;

– vlerësimi i kapaciteteve të profesionistëve të fushave të ndryshme në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, hartimi i një plani të harmonizuar për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si edhe hartimi i instrumenteve të dedikuara për menaxhimin e rasteve nga këta specialistë;

– vlerësimi buxhetor i kostos për menaxhime të rastit;

– hartimi i modulit të ruajtjes së të dhënave për rastet e menaxhuara, si pjesë e sistemit elektronik të integruar të shërbimeve të kujdesit shoqëror;

– monitorimi dhe inspektimi i strukturave të mbrojtjes së fëmijës, bazuar në manuale e udhëzues të përditësuar, në përputhje me ligjin nr.18/2017;

Për strukturat e mbrojtjes së fëmijëve, si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel vendor, mbetet sfidë mungesa e kapaciteteve në burime njerëzore, në kapacitete teknike dhe burime financiare, etj.

Në përfundim të fjalës së saj, znj. Peka kërkoi zbatimin konkret dhe brenda afateve kohore të rekomandimeve të AP nga institucionet përgjegjëse shtetërore, si dhe trajnimi i stafeve që punojnë drejtëpërdrejt me fëmijët.