Në Ditën Botërore për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve

Në Ditën Botërore për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve, AP dhe KMPDF u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve, pjesë e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës, se mbrojtja nga çdo formë e dhunës, neglizhencës e abuzimit seksual dhe forcimi i shëndetit fizik e emocional të fëmijëve nuk është vetëm një komponent kyç i promovimit të të drejtave të tyre, duke përfshirë interesin e tyre më të lartë, por ka edhe përparësi të jashtëzakonshme.

Kjo u jep fëmijëve mundësinë më të mirë për të jetuar një jetë të shëndetshme dhe të përmbushur, të rriten për të qenë adultë të lumtur dhe produktivë, u mundëson të jetojnë fëmijërinë e tyre, por passjell përfitime shumë të mëdha edhe për shoqërinë.

Rekomandimet e adresuara nga Avokati i Popullit dhe KMPDF ndaj organeve të administratës shtetërore për këtë dukuri, në thelb kanë synuar:

  • krijimin e praktikave të qarta, efektive për trajtimin e dhunës seksuale te fëmijët dhe adoleshentët nga ana e të gjithë punonjësve të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe atyre që për shkak të profesionit vendosen në kontakt me ta;
  • krijimin e shërbimeve të specializuara për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimet seksuale, për të minimizuar sa më shumë të jetë e mundur këtë fenomen negativ;
  • forcimin e sistemit të monitorimit dhe vlerësimit të respektimit të të drejtave të fëmijëve;
  • trajtimin më të gjerë të temës së abuzimit/dhunës seksuale në programet mësimore (konkretisht të lëndës së edukatës seksuale) dhe, organizimin e fushatave ndërgjegjësuese dhe edukative me prindërit dhe anëtarët e komunitetit, për mbrojtjen e fëmijëve në interesin më të lartë të tyre.

Abuzimi seksual ndaj një fëmije është një akt i dhunshëm përbuzjeje, jo shprehje e seksualitetit ose e dashurisë!

STOP ABUZIMIT DHE DHUNËS SEKSUALE NDAJ FËMIJËVE!!

#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve

#AP

#KMPDF