Në kuadër të Ditës Europiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, CRCA/ECPAT Shqipëri, një organizatë anëtare e Platformës së BE-së për OSHC-të, për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, në bashkëpunim me ECPAT International, prezantuan sot në një webinar Raportin “Shqipëria: Treguesit e përgjithshëm të vendit”, një raport mbi shkallën, natyrën dhe kontekstin e shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri.
Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve në institucionin e AP-së, znj. Nejla Peka në këtë webinar të organizuar nga CRCA/EPCAT Shqipëri, ku marrin pjesë edhe përfaqësues KRSH-së, si dhe të organizatave të shoqërisë civile, prezantoi problematikat e evidentuara në punën e organeve shtetërore, aktorë të rrjetit të integruar të mbrojtjes sociale në rastet e dhunës dhe, në veçanti të shfrytëzimit seksual, por jo vetëm.
- Znj. Peka në fjalën e saj u ndal edhe në dukurinë e trafikimit të fëmijëve, si një dukuri komplekse, e cila afekton më së shumti kategorinë e fëmijëve në situatë rruge e në nevojë.
- Në të njëjtën kohë, ajo ndau me të pranishmit qasjen institucionale të AP-së ndaj kësaj dukurie komplekse dhe rekomandimet përkatëse, adresuar për secilën nga format e shfaqjes së saj.
AP dhe KMPDF theksojnë detyrimin kushtetues e ligjor, që kanë mekanizmat shtetërore përgjegjës:
- për të zbatuar legjislacionin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, me qëllim parandalimin, mbrojtjen dhe integrimin e fëmijëve, viktima të çdo forme të dhunës në tërësi e, në mënyrë të veçantë;
- rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror, për vëmendje maksimale në drejtim të parandalimit të dhunës dhe formave të saj.
#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve