Institucioni i Avokatit të Popullit, nisur nga veprimet e dhunshme, të ushtruara nga punonjësit e Policisë së Shtetit, evidente dhe të dallueshme, në videot e publikuara në median online, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve kompetente, për të ndërmarrë veprimet urgjente karshi këtyre punonjësve, në përputhje me legjislacionin ne fuqi.
- Një ndër aktorët kyç, pjesë e sistemit të integruar të mbrojtes së fëmijës, është edhe Policia e Shtetit. Po kështu, referuar parashikimeve të ligjit organik të Policisë së Shtetit, ky institucion ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
- Dhuna e ushtruar nga forcat e Policisë së Shtetit karshi një të mituri/të miturve, është e pajustifikueshme dhe aspak profesionale, për më tepër në kundërshtim flagrant me legjislacionin ndërkombëtar e kombëtar të respektimit, mbrojtjes e garantimit të të drejtave të fëmijëve.
- Në çdo rast e rrethanë, në të cilat mund të gjenden fëmijët, ndërhyrja/afrimi/komunikimi/shoqërimi që i bëjnë punonjësit e Policisë së Shtetit këtyre të miturve, duhet të respektojë rregullat dhe procedurat , që Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur parasheh.
Dhuna ndaj fëmijëve është rreptësisht e ndaluar në çfarëdo lloj rrethane, për më tepër kur ajo ushtrohet veçanërisht nga punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë si mision në ushtrimin e detyrës së tyre, mbrojtjen e jetës dhe lirive të qytetarëve, për më tepër kur ky qytetar është një i mitur, vëmendja në këtë rast duhet të jetë e shtuar!
#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve