Dita e parë e shkollës

Dita e parë e shkollës,

Për çdo fëmijë, prind apo familje, dita e parë e shkollës, është emocion, gëzim, përjetim, të papritura, por këtë vit është ndryshe. Ajo zgjon edhe frikë e pasiguri, për shkak të situatës në të cilën gjendemi.

Kjo ditë e është veçanërisht e rëndësishme, për ata, që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ku emocionit, tensionit, ankthit të takimit të parë dhe së nesërmes së gjatë e plot sfida në rrugën e bukur e të veçantë të viteve shkollore, këtij shtatori i shtohet një “normalitet i ri” – masat anticovid: mbajtja e maskës,ruajtja e distancës dhe rregullat e highenës vetjake – si e vetmja rrugë dhe kujdes ndaj infeksionit Covid-19.

Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve në këtë pragfillim të një viti të ri shkollor, të vështirë për shkak të pandemisë e plot sfida, i urojnë suksese të gjithë nxënësve, prindërve, mësuesve dhe edukatorëve, për një rrugëtim të mbarë e të sigurt, me besim dhe shpresë, se kësaj rradhe misionit të tyre fisnik, përveç vlerave të tjera, i shtohet edhe një vlerë tjetër: humanizmi dhe vlerat shpirtërore.

Dituria është pasuri dhe kush mëson – gëzon. Ndaj, është përgjegjësi e mbarë shoqërisë sonë për t’i garantuar mirërritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin fëmijëve tanë, nëpërmjet sigurimit një jetë shkollore të rregullt dhe pa pengesa.

Legjislacioni në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, ngarkon me detyrimin ligjor ministrinë përgjegjëse për arsimin parauniversitar, si autoritet publik përgjegjës, si dhe njësitë arsimore vendore, që të marrin masa konkrete, ndërmjet të tjerave, për krijimin e kushteve të nevojshme, me qëllim rritjen e cilësisë së arsimimit, nëpërmjet krijimit edhe të infrastrukturës së përshtatshme, për garantimin e mbarëvajtjes së procesit mësimor apo dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit, që në kushtet në të cilat gjendemi, merr vlerë parësore!

Nxënës të dashur!

Urojmë një fillim viti shkollor sa më të mbarë e të suksesshëm kah dijes!

Dashuria për dijen dhe shëndeti qofshin bashkëudhëtarët tuaj përgjatë këtij viti, mbushur me sfida e pasiguri!

Le të mos harrojmë:

“…Një libër, një penë, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën…”!