Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës

Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës është e mbështetur në vlerat e paçmuara të vullnetarizmit, bamirësisë, mundit dhe punës së kryer në shërbim të njerëzve pa dallim moshe, gjinie, kombi.

Nënë Tereza përfaqëson, jo vetëm një figurë të rëndësishme për kombin shqiptar, por ajo është edhe simbol i humanizmit botëror, me përmasa hyjnore, si shembull i unifikimit të qenieve njerëzore.

Shërbimet e kryera nga ana e Nënë Terezës, në emër të dashurisë, lidhen ngushtësisht me mbrojtjen e fëmijëve në nevojë.

Fjalët janë të pakta për të përshkruar, bamirësinë e saj, që kapërceu kufijtë njerëzorë dhe, vlerësimi më i madh është shndërrimi i figurës, punës e veprës së saj në vlera të shenjta e përjetësi, si nënë e mbarë njerëzimit.

Me thjeshtësinë e fjalës së Nënë Terezës dhe fuqinë e mesazhit që ajo përcjell, sot të gjithë ndjejmë, se kemi nevojë për pak butësi e mirësi, ashtu sikundër Shenjt Tereza shprehej:

“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”