Inspektim në Komisariatin Shkodër

Në kuadër të marrëveshjes, ndërmjet Avokatit të Popullit dhe zyrës së UNCEF Shqipëri, Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve dhe Seksioni i Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve në institucionin e AP -së vijojnë punën për inspektimin e intitucioneve të ndalimit, paraburgimit dhe burgimit të të miturve në konflikt me ligjin dhe të privuar nga liria.

Më datë 16 nëntor 2020 monitoruam stacionin/komisariatin e Policisë Shkodër ku pamë së afërmi mjediset, të cilat ishin në proces rikostruksioni. Përpos kësaj, realizuam intervistat me drejtuesit dhe stafet, për qasjen e tyre ndaj situatës dhe masave të ndërmarra për parandalimin e Covid-19, në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Këto inspektime vijnë si rrjedhojë edhe e zbatimit të Rezolutës së Kuvendit të RSH-së për veprimtarinë e institucionit të AP-së dhe në thelb synojnë të zbërthejnë funksionin mbrojtës të AP-së për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Më konkretisht, nëpërmjet tyre synohet:

  • vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit në vijëmësi;
  • monitorimi i kushteve dhe trajtimit të të miturve në konflikt me ligjin të privuar nga liria, duke marrë në konsideratë të veçantë masat për sigurimin dhe zbatimin e të drejtave të fëmijëve gjatë pandemisë COVID-19;
  • garantimi i të drejtave të fëmijës, më kryesorja, e drejta e jetës dhe shëndetit në këto institucione në kushtet e pandemisë;

Po kështu, në kuadër të monitorimit të veprimtarisë administrative të institucioneve përgjegjëse shtetërore, pjesë e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës në zbatim të ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, realizuam disa takime edhe në bashkinë e qytetit të Shkodrës.

Në përfundim të procesit të monitorimit, do të hartohet raporti me gjetjet kryesore dhe rekomandimet përkatëse.

AP dhe KMPDF, edhe pse në këto kushte, nuk do të reshtin në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave ligjore, për mbrojtjen e fëmijëve dhe shëndetit në situatën e pandemisë, si dhe më e rëndësishmja, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të fëmijëve në interesin më të lartë të tyre!

#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve

#AP

#KMPDF

#UNICEF