Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Avokati i Popullit dhe KMPDF bëjnë thirrje për sa më shumë ndërgjegjësim, solidaritet e gjithëpërfshirje, për të mos lënë askënd pas. Fëmijët me autizëm kanë të drejta dhe ne, duhet t’i mbrojmë ato.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli unanimisht 2 Prillin, si “World Autism Awareness Day”, ditën për ndërgjegjësimin botëror për fëmijët me autizëm në botë, si dhe mbi nevojën që individët me autizëm kanë për të jetuar, si një pjesë integrale e shoqërisë, duke krijuar mirëkuptim më të madh në shoqëri. Kjo datë çdo vit synon të ndërgjegjësojë që njerëzit të kuptojnë dhe pranojnë personat me autizëm, të nxisin mbështetjen ndaj tyre në të gjithë botën dhe të frymëzojnë njerëzit, si një ditë që përhap mirësinë dhe vetëdijen për autizmin. Kjo ditë është një shans për të rimenduar që sistemi arsimor duhet të garantojë që personave me autizëm t’u ofrohen mundësitë për të zhvilluar potencialin e tyre.

Përpjekje të shtuara duhen që të garantojmë të drejtat e fëmijëve, larg përjashtimit dhe çdo lloj shkeljeje të të drejtave njerëzore të çdo individi, qoftë ky edhe i mitur.

Sot për shkak të pandemisë Covid-19, ata që e përjetojnë më së shumti situatën janë fëmijët. Fëmijët kanë nevojë për dashurinë dhe vëmendjen, nuk duhet të harrojmë së foluri atyre me dashuri, së dëgjuari të mesazheve që ata japin, t’ju flasim me mirësi dhe, së krijuari për ta të një mjedisi të sigurt.

  • Fëmijët me autizëm, në shumicën e rasteve nuk lodhen së fokusuari në gjërat që i pëlqejnë dhe, kjo i bën ata të mrekullueshëm e të veçantë, ndaj duhet të japim ndihmën që jeta e tyre të ketë ngjyra sa më të gëzueshme, duke ju përshtatur mënyrave se si mësojnë.
  • Autizmi flet me zemër dhe sfidën e kësaj kohe sot, në drejtim të kujdesit e punës me ta, pa diskutim e kanë prindërit e fëmijëve. Njësitë e pushtetit vendor duhet të japin mbështetjen më të mirë të mundshme, familjeve që kanë fëmijët me autizëm, të cilët janë dhe ndër target grupet më të prekura nga situata e pandemisë.
  • Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, në kontekstin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve, do të vijojnë bashkëpunimin me çdo institucion shtetëror dhe jo vetëm, për garantimin dhe promovimin e të drejtave të fëmijës, si dhe mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës.
  • Përpjekje të shtuara duhen për eleminimin e çdo barriere, në mënyrë që fëmijët me aftësi dhe nevoja të veçanta, të gëzojnë të drejtat si çdo anëtar i shoqërisë në vendin tonë.
  • Nuk mund të ketë zbulim më të thellë të shpirtit të një shoqërie, sesa mënyra me të cilën ajo trajton fëmijët e saj. Mbështetja e së drejtës për shëndet, së bashku me mbrojtjen e anëtarëve më të prekshëm të komuniteteve tona nga një kërcënim ekzistencial, është një qëllim legjitim.
  • Në këto ditë, më shumë se kurrë nxisim solidaritetin që “…. askush të mos mbetet pas…”. Solidaritet, humanizëm njerëzor, gjithëpërfshirje, energji me të shtuara për shërbime, aftësim, arsimim cilësor gjithëpërfshirës e shërbime shoqërore dhe shëndetësore, për më të vegjlit e në interesin më të lartë të fëmijëve.

#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve

#AP

#KMPDF