Institucioni i Avokatit të Popullit sjell në vëmendje të organeve të administratës shtetërore, se garantimi i të drejtave të fëmijës në mjedisin digjital, përbën detyrim pozitiv për to, në përputhje me nenin 4, të Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijëve dhe udhëzimit të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës në mjedisin digjital.
Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike, e ndodhur në Njësinë Administrative Guri i Zi, në Bashkinë Shkodër, në të cilin i mituri, tek sa tentonte të bënte video në Tik Tok, sikur po vetëvritej, në mënyrë aksidentale ka vrarë veten, u kërkon institucioneve përgjegjëse shtetërore, pjesë të sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijës, të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura, për analizimin e pasojave, që sollën humbjen e jetës së të miturit 10 vjeçar, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Avokati i Popullit, në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm, bazuar në zhvillimet e reja të teknologjisë së inovacionit dhe epokës digjitale, në interesin më të lartë të fëmijës, u ka adresuar rekomandimet përkatëse :
Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Ministrisë së Brendshme dhe
Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike,
pikërisht në funksion të garantimit të të drejtave të fëmijës në mjedisin digjital.
AP në mënyrë të përsëritur, rekomandon:
- Marrjen e masave nga organet e administratës shtetërore dhe sipërmarrësit e industrisë së zhvillimit të tekonlogjisë dhe inovacionit, për të respektuar dhe mbështetur plotësisht të drejtat e fëmijës në mjedisin digjital, si dhe garantimin e lundrimit të sigurt në internet.
- Garantimin dhe përmbushjen e të drejtës së fëmijës për të marrë pjesë në vendimarrje, gjatë hartimit dhe miratimit të akteve ligjore dhe nënligjore, kur këto nisma prekin dhe afektojnë të drejtat e tyre në mjedisin digjital nëpërmjet:
- sigurimit, që të gjithë fëmijët të kenë qasje të barabartë dhe jo diskriminuese në mjedisin digjital.
- mbrojtjen dhe promovimin e praktikave më të mira që sjell interneti, teknologjia dhe media sociale tek fëmijët, duke shmangur informacionet e rreme dhe përmbajtjet e dëmshme
- marrjen e të gjitha masave të nevojshme, për të mbrojtur fëmijët nga të gjitha format e dhunës, si: ngacmimi, dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi në mjedisin digjital
- njohjes së të drejtës së fëmijës për arsim edhe në mjedisin digjital, duke mbështetur zhvillimin e aftësive digjitale të fëmijës
- mbështetjen për prindërit dhe kujdestarët e tyre ligjorë në rolin e tyre si kujdestarë të të drejtave të fëmijës në internet, për të siguruar, që fëmijët të mund të përfitojnë nga mundësitë e ofruara nga mjedisi digjital, duke reduktuar rreziqet e mundshme.
- Sigurimin e qasjeve të reja procedurale për fëmijët dhe të rinjtë, në një gjuhë të thjeshtë dhe miqësore për ta, prindërit dhe kujdestarët e tyre ligjorë për raportim dhe ankimim.
Rekomandimin e plotë mund ta gjeni këtu
https://weather.al/…/Rekomandimi-per-garantimin-e-te…
#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve