Urimi i Avokates se Popullit per festen e mesuesit 7 Mars

Përmes një simbolike të veçantë, duke u rikthyer në shkollën e saj fillore “Vasil Shanto”, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca zgjodhi të urojë sot të gjithë mësuesit e vendit.

 

Për të shënjuar këtë 7 Mars, nxënësit e kësaj shkolle kishin organizuar një aktivitet artistik në të cilin mirëpritën sot Avokaten e Popullit.

 

Znj. Ballanca i falenderoi të gjithë nxënësit dhe stafin mësimor për pritjen e ngrohtë dhe në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rolin e qenësishëm që ka çdo mësues.

 

“Të gjithë flasim me admirim për mësuesin edhe pas shumë vitesh shkëputje nga bankat e shkollës. Çdo ditë, me përkushtim dhe pasion, ju i ndihmoni nxënësit të zbulojnë potencialin e tyre duke formuar të ardhmen. Ju nuk keni thjesht një rol të pazëvendësueshëm, ju kryeni një mision; përgatisni të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera Avokatja e Popullit.