Avokati i Popullit mbron të gjithë kategorinë e të drejtave të fëmijëve ashtu siç janë parashikuar në ligj (ligjet e vendit, direktiva apo konventa të ratifikuara nga shteti shqiptar) si: e drejta për jetën, e drejta për përkrahje sociale, e drejta për arsim, e drejta për kujdes shëndetësor, e drejta për t’u mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi, përfshirë edhe shfrytëzimin seksual, e drejta për kujdes të veçantë për fëmijët me paaftësi fizike dhe mendore, e drejta për të mos u dënuar, torturuar apo trajtuar në mënyrë mizore, e drejta për një proces të rregullt ligjor për fëmijët në konflikt me ligjin etj.

Nëse mendoni se një organ shtetëror me veprimet ose mosveprimet e tij ka shkelur të drejtat tuaja ju mund të komunikoni me ne dhe të bëni një ankesë. Ju mund të bëni një ankesë pranë Avokatit të Popullit edhe nëse mendoni se të drejtat tuaja nuk respektohen, apo parimi i interesit më të lartë të fëmijës nuk është marrë në konsideratë.