Çdo shtet ka detyrimin të miratojë ligje për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve në përputhje me standartet e kërkua nga direktivat apo konventat ndërkombëtare të organizatave ku vendi merr pjesë.  Në të njëjtën kohë shteti ka detyrimin të krijojë mundësitë për zbatimin e këtyre të drejtave. Në praktikë, jo gjithmonë të drejtat e fëmijëve respektohen.

Për të mundësuar një mbrojtje sa më të mirë të të drejtave të fëmijëve, pranë institucionit të Avokatit të Popullit është krijuar Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve. Seksionin e drejton Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve.

Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve mbron dhe promovon të drejtat e fëmijëve që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç në Republikën e Shqipërisë.

Me punen e tij, Seksioni ndihmon që të drejtat tuaja të respektohen dhe ju të trajtoheni me të gjithë kujdesin e duhur dhe të nevojshëm për moshën tuaj. Detyra më kryesore e këtij Seksioni është trajtimi i të gjitha ankesave që lidhen me shkeljen e të drejtave të fëmijëve nga organet e administratës publike. Ju mund të paraqisni ankesat tuaj në të gjitha rastet kur të drejtat tuaja janë shkelur apo nuk janë respektuar nga organet e shtetit.

Seksioni heton në lidhje me ankesën tuaj, dhe nëse konstaton që është kryer një shkelje propozon edhe masat që duhet të meren për të rivënë në vend të drejtat tuaja. Seksioni ju ndihmon gjithashtu për të kuptuar natyrën e shkeljes si dhe mënyrën se si ta zgjidhni problemin tuaj.

Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve gjithashtu promovon të drejtat e fëmijëve, pra ia bën të njohura të drejtat, shqetësimet dhe pikëpamjet e fëmijëve publikut të gjerë. Në këtë mënyrë Seksioni i ndihmon njerëzit si dhe organet e shtetit të njohin dhe të respektojnë të drejtat e fëmijëve. Seksioni bën propozime dhe rekomandime për ndryshimin e ligjeve apo hartimin e ligjeve që marrin në konsideratë dhe pasqyrojnë edhe të drejtat e fëmijëve.