Çfarë është Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve?

Avokati i Popullit është një institucion i pavarur, i parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Avokati i Popullit e ushtron veprimtarinë e tij bazuar në ligjin nr. 8454, datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar.

Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj.

Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje..

Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend. Gjithashtu, ky institucion ka si kompetencë edhe mbrojtjen, monitorimin dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve.

Zyra e Avokatit të Popullit përbëhet nga 5 seksione të specializuara, një ndër të cilët është dhe Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve.

Në fillimet e veta institucioni nuk ka patur një Seksion të veçantë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve duke i parë të drejtat e fëmijëve në kontekstin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut.

Ratifikimi i konventave ndërkombëtare në fushën e të drejtave të fëmijëve si dhe përafrimi i kuadrit ligjor të vendit në proceset integruese europiane, çuan në hartimin e ligjeve dhe ngritjen e institucioneve shtetërore që veprojnë në këtë fushë.

Ndyshimet legjislative dhe institucionale në fushën e të drejtave të fëmijëve, bënë që me ligjin nr. 155/2014 për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të krijohet Seksioni për Mbrojtjen dhe promovimin e të Drejtave të Fëmijëve dhe të zgjidhet Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve.

Krijimi i këtij Seksioni Për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave te Fëmijëve përbën një instrument shumë të rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë në promovimin, monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të femijëve, pasi ky seksion mundëson marrjen dhe trajtimin e ankesave në rastin e shkeljes së këtyre të drejtave si dhe heton në mënyrë të pavarur mbi këto shkelje. Në të gjithë veprimtarinë e tij, Seksioni reflekton prioritetet dhe prespektivën e fëmijëve si dhe mundësitë për të shprehur pikëpamjet e tyre në të gjitha aspektet e veprimtarisë jetësore.