Të gjithë fëmijët nën moshën 18 vjeç gëzojnë të drejta, të cilat u mundësojnë atyre të trajtohen në mënyrën e duhur dhe të kenë të gjithë kujdesin e nevojshëm për një rritje dhe zhvillim sa më të mirë. Të drejtat e fëmijëve garantohen përmes ligjeve të shtetit dhe akteve ligjorë ndërkombëtarë të njohur nga vendi ynë.

Akti më i rëndësishëm ndërkombëtar ku janë sanksionuar të drejtat e fëmijëve është Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, e cila është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në 20 nëntor 1989, dhe është ratifikuar nga vendi ynë me ligjin Nr. 7531, datë 11.12.1991.

Konventa parashikon të drejtat bazë të fëmijëve, si dhe detyrimin që kanë shtetet për mbrojtjen, respektimin dhe promovimin e të drejtave të tyre. Ajo shërben si pikë referimi për katalogun e të drejtave të fëmijëve, duke qenë se kjo Konventë është pranuar nga pothuajse të gjtha vendet e botës (191 vende).