Në vijim të veprimtarive për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Komisioneri për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve dhe Seksioni i Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve në institucionin e Avokatit të Popullit përfunduan raundin e parë të inspektimeve në intitucionet e ndalimit, paraburgimit dhe burgimit të të miturve në konflikt me ligjin dhe të privuar nga liria, në disa qytete të vendit.
Realizimi i monitorimeve në stacionet e policisë, Tropojë, Shkodër, Korçë dhe Durrës synon mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve, veçanërisht me një vëmendje të shtuar ndaj kategorisë së të miturve në konflikt me ligjin.
Këto inspektime vijnë si rrjedhojë edhe e zbatimit të Rezolutës së Kuvendit të RSH-së për veprimtarinë e institucionit të AP-së dhe marrëveshjes, ndërmjet Avokatit të Popullit dhe zyrës së UNICEF Shqipëri, ku në thelb synojnë të zbërthejnë funksionin mbrojtës të AP-së për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Më konkretisht, nëpërmjet tyre synohet:
- vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit në vijëmësi
- monitorimi i kushteve dhe trajtimit të të miturve në konflikt me ligjin të privuar nga liria, duke marrë në konsideratë të veçantë masat për sigurimin dhe zbatimin e të drejtave të fëmijëve gjatë pandemisë COVID-19
- garantimi i të drejtave të fëmijës, më kryesorja, e drejta e jetës dhe shëndetit në këto institucione në kushtet e pandemisë
Në përfundim të procesit të monitorimit, do të hartohet raporti me gjetjet kryesore dhe rekomandimet përkatëse.
AP dhe KMPDF, edhe pse në këto kushte, nuk do të reshtin në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave ligjore, për mbrojtjen e fëmijëve dhe shëndetit në situatën e pandemisë, si dhe më e rëndësishmja, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të fëmijëve në interesin më të lartë të tyre!
#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve