Puna e Fëmijëve

Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2017-2020, ka si vizion krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e shëndetshëm fizik dhe psiko-social të fëmijëve, përfshirjen sociale dhe pjesëmarrjen e tyre në të gjitha proceset, bazuar në interesin më të lartë të fëmijës.

Për avancimin e saj, AP dhe KMPDF do të vijojnë punën për garantimin e mbrojtjes së fëmijës nga shfrytëzimi ekonomik, që përfshin kryerjen e çdo pune që paraqet rreziqe për shëndetin fizik dhe mendor, mirëqenien e zhvillimin e tij tërësor, cenon edukimin; dhe është e detyruar.

Fëmija mbrohet nga shfrytëzimi ekonomik, si dhe nga kryerja e çdo pune të detyruar brenda familjes së tij, në shkollë, institucione të rehabilitimit dhe dënimit, ose në aktivitete kulturore, artistike, sportive, modelimi ose për qëllime reklamuese, që paraqet rrezik, cenon edukimin, dëmton shëndetin ose zhvillimin e tij fizik, mendor, shpirtëror, moral ose shoqëror.

Avokati i Popullit e ka evidentuar tash, se në Shqipëri mungon një sistem shtetëror i unifikuar i të dhënave, i cili mundëson evidentimin e rasteve të shfrytëzimit të fëmijëve për punë.

Puna e fëmijëve mund të adresohet përmes rritjes së niveleve të mbrojtjes sociale, promovimit të masave parandaluese, rritjes së ndihmës financiare dhe shërbimeve sociale, zhvillimit të shërbimeve të inspektimit të punës, politikave të tregut të punës dhe nxitjen e arsimit, formimit profesional.

Avokati i Popullit, jo vetëm ka hartuar raport të veçantë për punën e fëmijëve, por në vijëmësi ka rekomanduar marrjen e masave për parandalimin e shfrytëzimit për punë të fëmijëve nëpërmjet:

  • vendosjes si detyrim ligjor, të lëshimit të autorizimit për grup moshën 16-18 vjeç, nga ISHPSHS, me qëllim kontrollin e punësimit të të miturve të kësaj kategorie
  • përcaktimin e procedurave të qarta e të sakta, për licencimin e shërbimeve të jashtme të parandalimit, edukimin dhe certifikimin e specialistëve dhe shërbimeve për sigurinë dhe shëndetin në punë, të parashikuara në akte nënligjore
  • mbledhjes së të dhënave të përditësuara për punën e fëmijëve, si dhe për një bashkërendim më të konsoliduar, eficent dhe të realizuar në kohë e konkret, ndërmjet strukturave përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, për garantimin e sistemit të integruar të mbrojtjes së fëmijëve
  • ngritjes dhe funksionimit të një sistemi të informimit dhe ndërgjegjësimit publik dhe promovimin për sigurinë dhe shëndetin në punë, si një ndër prioritetet e legjislacionit, për ngritjen e mekanizmit për koordinimin ndërmjet institucioneve shtetërore, që operojnë në fushën e sigurisë në punë, si dhe për ngritjen e Këshillit Ndërministror për Sigurinë e Shëndetin për Punë, si detyrim ligjor që buronn nga legjislacioni në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Kompleksiteti i çështjes së punës së fëmijëve kërkon përpjekje shtesë për të integruar politikat ekzistuese dhe legjislacionin në një kornizë të vetme, që do të lejojë veprime më efikase dhe efektive për të mbrojtur fëmijët dhe parandaluar dhe eleminuar punën e fëmijëve, përfshirë format e saj më të këqija!

#bdalshfrytëzimitekonomiktëfëmijëve

#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve

#AP

#KMPDF