Intervista për TV A2CNN

Sot me datë 15 shtator, intervista e dhënë në tv A2CNN

Institucioni i Avokatit të Popullit, pasi u njoh me ngjarjen e bërë publike në televizione të ndryshme, si dhe në median online, lidhur me historinë e dy fëmijëve të mitur të familjes Dumani , të cilët ndodhen të vetëm në kampin Al-Houl në Siri, filloi shqyrtimin e këtij rasti me nismën e vet.

Në mbështetje të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, fëmija mbrohet si dhe nuk lejohet të përfshihet drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në një konflikt të armatosur, por i jepet prioritet, duke i siguruar kujdes e ndihme të veçantë, si dhe duke u fokusuar në evakuimin e tij nga ai territor, i cili është përfshirë në luftime.

Rasti i dy të miturve na risjell situatën e pazakontë, në të cilën ndodhen disa familje shqiptare dhe fëmijë të tjerë, në të tilla kampe famëkeqe. Këta fëmijë, jo vetëm përballen me vështirësi gjatë rrugës, por sfidat në vazhdimësi konsistojnë në përshtatjen e tyre me një kulturë dhe shoqëri të re (informacion i munguar nga ana e tyre), si dhe duhet të kalojnë një sërë procedurash të ndërlikuara, që synojnë të përcaktojnë statusin e tyre si të mitur dhe të drejtat e tyre, në këto vende lufte, ku familjarët e tyre i kanë si vende destinacioni.

Duke ju referuar pamjeve të bëra publike në media, si dhe gjendjes së luftës në këto shtete, është detyrë parësore e të gjithëve së bashku, garantimi i mirëqënies dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri, nëpërmjet dhënies së ndihmës dhe përkujdesit efektiv për fëmijën, shëndeti dhe mirëqenia e të cilit janë në rrezik.