Dhunimi i një të mituri në konflikt me ligjin të shoqëruar në komisariatin nr. 5 të Policisë së Shtetit në Kamëz

Institucioni i AP, pas referimit të rastit nga CRCA, për dhunimin e një të mituri në konflikt me ligjin të shoqëruar në komisariatin nr. 5 të Policisë së Shtetit në Kamëz, ditën e martë, datë 30.3.2021, kreu inspektimit pikërisht për hetimin administrativ të këtij rasti.

Nga informacioni paraprak i gjeneruar, bazuar në dokumentacionin e vënë në dispozicion nga punonjësit e Policisë së Shtetit të komisariatit nr.5, në mbështetje të ligjin nr.37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, konstatuam sa vijon:

  • Nga verifikimi i dokumentacionit, konstatohet, se në “Regjistrin e të dhënave për personat e shoqëruar”, më datë 29.03.2021 është shoqëruar një i mitur në orën 11:05 dhe është lënë i lirë në orën 14:50, ndërkohë në “Procesverbalin për marrjen e të dhënave ndaj personit të cilit zhvillohen hetime”, konstatohet, se orari i marrjes në pyetje e të miturit është shënuar në orën 10.30. Shënimi i dy orareve të ndryshme në dokumentimin e “Veprimit të shoqërimit”, përbën pasaktësi dhe shkelje administrative.
  • Intervistimi apo pyetja e të miturit është realizuar në zyrën e oficerit të policisë. Ndërkaq, konstatohet, se Komisariati i Policisë nr.5, ka zyrë të dedikuar për intervistimin e të miturve në konflikt me ligjin, viktima dhe/apo dëshmitarë. Intervistimi dhe pyetja e të miturit në konflikt me ligjin, në zyrat e punonjësve të komisariatit, përbën një nga shkeljet më të evidentuara nga institucioni i AP -së, për të cilën kemi rekomanduar respektimin e rregullave dhe procedurave standarde ndërkombëtare, për administrimin e drejtësisë penale për të mitur, të parashikuara edhe në Kodin e Drejtësisë Penale për Mitur.
  • Nga kqyrja e dokumentacionit rezulton, se i mituri i shoqëruar është marrë në pyetje nga punonjësit e policisë, në prani të avokatit dhe Punonjësit të Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijës në bashkinë Kamëz, por pa praninë e psikologut dhe të prindit, duke shkelur kështu rregullat e përcaktuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur.

Edhe në këtë rast, konstatohet, se veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë në përputhje me përcaktimet ligjore të administrimit të drejtësisë penale për të mitur.

Theksojmë, se në vijëmësi AP ka rekomanduar zbatimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili parasheh, se në çdo fazë të procedimit penal, i mituri gëzon të drejtat të tilla si:

  • të drejtën për ndihmë ligjore dhe psikologjike ose çdo ndihmë tjetër të duhur për përgatitjen dhe paraqitjen e mbrojtjes së tij
  • të drejtën që të ketë prindin të pranishëm dhe/ose të drejtën të shoqërohet nga një person i besuar.

Për inspektimin e realizuar dhe, në përfundim të hetimit administrativ, institucioni i AP-së do të adresojë gjetjet dhe rekomandimet përkatëse në institucionet përgjegjëse shtetërore!

#mbrojmëdhepromovojmëtëdrejtatefëmijëve

#AP

#KMPDF

CRCA / ECPAT Albania